Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Qeveria e unitetit është e pamundshme pa Vetëvendosjen – PDK e gatshme për koalicion opozitar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se propozimi për formimin e një Qeverie të Unitetit, i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është i parealizueshëm pa pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, sipas tij, e ka refuzuar këtë ide në mënyrë të qartë. “Qeveria e unitetit nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë. Në momentin që Vetëvendosja e refuzon, një ide e tillë automatikisht bie poshtë,” u shpreh Krasniqi. Kreu i PDK-së theksoi se në mungesë të një konsensusi të gjerë, skenari më i mundshëm është ai i një koalicioni ndërmjet partive opozitare të mëhershme: PDK, LDK, AAK dhe Nisma. Ai shtoi se një bashkëpunim i tillë jo vetëm që është i mundur, por ka edhe përkushtimin e PDK-së për t’u jetësuar. “Nëse LDK është e gatshme, unë personalisht garantoj se mund të sigurojmë edhe 10 vota shtesë nga partitë e komuniteteve jo-serbe. Me 51 votat aktuale dhe përkrahjen e minoriteteve, numrat janë të arritshëm”, deklaroi Krasniqi. Ai përmbylli se, në fund të ditës, gjithçka varet nga vullneti politik: “Nëse ka vullnet – ka numra; nëse s’ka vullnet – numrat nuk ndodhin kurrë.”

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj uron SHBA-në për 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar popullin amerikan dhe institucionet …