Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur periudhën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar me postë në zgjedhjet lokale të planifikuara për datën 12 tetor 2025. Regjistrimi do të jetë i hapur nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025, për një periudhë totale prej 38 ditësh. Shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë dy mundësi për aplikim:
- Përmes platformës elektronike të KQZ-së, e cila do të bëhet e qasshme më 23 korrik;
- Përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
KQZ ka paralajmëruar publikimin e udhëzimeve të detajuara mbi hapat që duhet ndjekur për regjistrim, kriteret ligjore, si dhe dokumentacionin e kërkuar për aplikim. Për dallim nga zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale votimi jashtë vendit bëhet vetëm përmes postës, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk parashikon votim nëpërmjet përfaqësive diplomatike për këtë kategori zgjedhjesh. Afati për dërgimin e votave përmes postës do të jetë nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025. Votimi përmes postës do të jetë i vlefshëm vetëm për ata shtetas që regjistrohen me sukses si votues jashtë vendit brenda periudhës së lejuar.