MKRS investon 300 mijë euro në renovimin e stadiumit në Ferizaj

Në kuadër të investimeve kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës sportive, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt, qëllimi i të cilit është mbështetja financiare për “Renovimin e Stadiumit të futbollit në Ferizaj”, projekt me vlerë prej 400 mijë euro.

Në bazë të Memorandumit të nënshkruar, MKRS-ja investon mjete financiare në shumën prej 300 mijë euro, për vitin 2016 dhe 2017, ndërsa Komuna e Ferizajt, merr përsipër të investojë vlerën prej 100 mijë euro, në këtë periudhë dy vjeçare.

Ministri Kujtim Shala tha se memorandumi i nënshkruar sot mes MKRS-së dhe Komunës së Ferizajt, dëshmon përkushtimin e ministrisë për të investuar në sport nëpër tërë komunat e Kosovës, sidomos në përmirësimin e infrastrukturës, gjë e cila ua mundëson sportistëve të kenë hapësira të standardizuara për stërvitje dhe zhvillim të garave. Investimet e këtilla do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së sportit të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e ngushtë dhe përkrahjen që po jep për investimet në sport. Ai u shpreh se ky investim në stadiumin e Ferizajt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për futbollistët e Ferizajt, sepse ua mundëson sportistëve të garojnë dhe përmirësohen edhe më tej në kushte më të mira në një hapësirë tërësisht të renovuar.

 

Kontrolloni gjithashtu

Në Mirash po vazhdojnë me intensitet të shtuar punimet për ndërtimin e rrugës kryesore  

Punimet për ndërtimin e rrugës kryesore në fshatin Mirash të komunës së Ferizajt po vazhdojnë …