Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për situatën aktuale politike, duke e cilësuar atë përgjegjësin kryesor për krizën në formimin e institucioneve. Haradinaj ka paralajmëruar se veprimet e mëtutjeshme të partisë së tij mund të përfshijnë edhe aksione simbolike për të kundërshtuar, siç u shpreh ai, “mbajtjen peng të Kosovës” nga Kurti. “Është mirë të fillojmë me ja nxi jetën këtij njeriu, që të kuptojë se nuk mund të qeverisë vendin në mënyrë ilegale. Ai e ka dhënë betimin në Parlament, por sillet sikur të mos i ketë asnjë përgjegjësi kushtetuese. Nuk është mirë me e lënë as të dalë në rrugë, duhet me ia kthyer votën, gazin dhe çdo mjet që ai e ka përdorur kundër nesh në të kaluarën,” tha Haradinaj. Kreu i AAK-së shtoi se Albin Kurti po e shpenzon kohën në Kuvend me mbledhje të kota, në vend që të respektojë Kushtetutën dhe të marrë përgjegjësi për udhëheqjen e vendit. “Ose të kryejë detyrat kushtetuese, ose të largohet – ndryshe do të detyrohemi të veprojmë,” përfundoi Haradinaj.
