Kontratat kolektive, të cilat synonin përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, po kthehen në një barrë të rëndë financiare për komunat e Kosovës. Megjithëse janë nënshkruar në nivel qendror, pasojat financiare po i bartin komunat, duke dëmtuar funksionimin normal të tyre dhe duke vonuar projekte të rëndësishme për qytetarët. Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se deri tani komunave u janë marrë mbi 145 milionë euro për zbatimin e kontratave kolektive, përfshirë mbi 37 milionë vetëm gjatë këtij viti. Ai e quajti këtë një “gjakderdhje financiare” që po pamundëson investimet kapitale në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi. Situata është e rënduar edhe në nivel komunal. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se projektet po dështojnë, ndërsa buxheti po shpenzohet pa planifikim. Në Han të Elezit, kryetari Mehmet Ballazhi theksoi se një pjesë e madhe e mjeteve që duhet të përfitojnë arsimtarët po përfundon te përmbaruesit privatë. Ndërkohë, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, raportoi humbje deri në 9 milionë euro për komunën e tij, duke shtuar se pagesat për kontratat kolektive po krijojnë vështirësi serioze në realizimin e projekteve të planifikuara.
