Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të Komandës në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të KFOR-it, të mbajtur më 30 qershor 2025. Në këtë ceremoni, komandën nga KFOR 34 e udhëhequr nga Kolonel Peter D. Helzer dhe Rreshter Major John K. Zagyva, e mori KFOR 35 i komanduar nga Kolonel Jonathan D. Lloyd dhe Rreshter Major Somkid M. Kimball. Përmes një njoftimi nga FSK, Jashari ka falënderuar komandantin në largim, Kolonel Helzer, për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë mandatit të tij. Ai gjithashtu ka uruar komandantin e ri, Kolonel Lloyd, për marrjen e detyrës dhe ka theksuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e bashkëpunimit me KFOR-in amerikan në Lindje.
