PDK dhe AAK: Kërkesa e Osmanit i jep kohë Vetëvendosjes për të zgjatur bllokadën

Partitë opozitare PDK dhe AAK kanë reaguar ndaj kërkesës së presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si të vonuar dhe në funksion të zgjatjes së bllokadës institucionale nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Presidentja Osmani ka kërkuar nga Kushtetuesja interpretim shtesë mbi atë se çfarë ndodh pas datës 26 korrik, nëse deri atëherë nuk arrihet të konstituohet Kuvendi. Ajo ka kërkuar gjithashtu një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor të përcaktuar nga vendimi i 26 qershorit. Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, deklaroi se kjo kërkesë vjen shumë vonë dhe i krijon avantazh politik Vetëvendosjes. “Presidentja është dashur shumë më herët t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Kemi humbur muaj të tërë dhe ende nuk po arrijmë të gjejmë një zgjidhje. Kërkesa për masë të përkohshme i jep më shumë kohë Vetëvendosjes për të vazhduar bllokimin,” tha Qalaj. Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e quajti të papërshtatshëm momentin e veprimit të Presidentes. “Situata nuk është e mirë dhe kjo kërkesë i jep edhe disa ditë kohë Vetëvendosjes për të vazhduar bllokadën. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të mos vonojë me vendimet e saj”, theksoi Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir matoshi

Fatmir Matoshi: Në dy ditët e ardhshme pritet takim me Vetëvendosjen për konstituimin e Kuvendit

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, ka deklaruar se në dy ditët e …