Pas dështimit për herë të 52-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës, zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti, ka paralajmëruar zhvillime të papritura në seancën e sotme, e cila është edhe e fundit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. “Si duket është përgatitur që të gatuhet diçka që mos t’i djegin mandatet e tyre deputetët,” tha Haliti, duke shtuar se 80% e deputetëve janë lodhur nga “akrobacionet pa vlerë për të ardhmen e vendit”. Haliti shpreson që sot të gjendet një zgjidhje që do të shmangte zgjedhjet e reja. “Besoj që do ketë surpriza befasuese,” u shpreh ai. Duke u bërë thirrje deputetëve që të vënë interesat e vendit mbi ato personale apo klanore, Haliti tha se është krenari të shërbesh me mandat të deputetit, por kur ai përdoret ndryshe nga besimi i popullit, “mund të shndërrohet në mallkim”.
