OVL e UÇK-së paralajmëron protestë më 7 gusht kundër Gjykatës Speciale

OVL e UÇK-së paralajmëron protestë më 7 gusht kundër Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se më 7 gusht do të organizojë një protestë paqësore në kundërshtim me veprimet e Gjykatës Speciale në Hagë.

Ky paralajmërim u bë publik gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, ku drejtues të organizatës shprehën pakënaqësinë e thellë ndaj Dhomave të Specializuara, duke i akuzuar për një qasje të njëanshme dhe përpjekje për të shtrembëruar historinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Sipas tyre, proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohen në kushte të padrejta dhe me ndërhyrje të papranueshme. “Do të protestojmë kundër shkeljeve që po ndodhin nga Dhomat e Specializuara. Janë dy raste konkrete ku gjykata, përmes përgjimeve dhe përdorimit të njerëzve të caktuar, po tenton të ndikojë në procesin gjyqësor kundër shokëve tanë,” deklaroi kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Organizata theksoi se protesta synon të ngrejë zërin kundër padrejtësive që, sipas tyre, po i bëhen atyre që udhëhoqën rezistencën për lirinë e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Enver Hasani: Shkarkimi i prokurorëve serbë është demonstrim pushteti, jo zbatim i ligjit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes …