A. Q. Histori e përsëritur apo një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

A. Q. Histori e përsëritur apo një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

(Në 72-vjetorin e rënies së pesë dëshmorëve,  në “Vig të Mirditës” dhe 18-vjetorin e rënies së pesë dëshmorëve te “Bajraku i Luzhnicës”)

Më 21 gusht të vitit 1944, në Vig të Mirditës, kanë rënë duke luftuar trimërisht kundër forcave kuislinge, profashiste, vullnetarët e lirisë: Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda.

Më 25 gusht të vitit 1998, në Bajrak të Kumanovës, në fshatin Luzhnicë, në jug të Drenicës, në Kosovë, kanë rënë duke luftuar kundër forcave fashiste serbe: Ismet Jashari-Kumanova, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Habib Zogaj, dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lindjet dhe vdekjet, pësimet e fitoret, shënojnë datat më me rëndësi të cilat reflektojnë në memorien tonë, për të na treguar ku kemi qenë, sa rrugë keni bërë dhe ku jemi?. Jemi ata që dëshirojmë të jemi, apo koha dalëngadalë dhe pa hutueshëm na vërtit edhe andej nga nuk duam, por nuk bëjmë dot ndryshe, sepse botën e kanë sundur dhe e sundojnë të fortit, mujsharët, shpirtkazmët, barbarët, andaj edhe historia njerëzore përsëritet, riciklohet. Në ditë të caktuara  si kjo na reflektojnë në kujtesë, Vashat e Kurbinit, ato të cilat në moshën e rinisë së virgjër, më me dëshirë ua dhanë gjakun skrepave të humnerave të tokës që i lindi,  sesa hordave pushtuese e mercenare.

Na kujtohet prerja e kokave të Halil Patronës dhe 24 trimave të tij, sepse në emër të lirisë, barazisë dhe drejtësisë ia kishin vënë gjoksin Perandorisë më të madhe të botës, kishin ndërruar nga froni një Sulltan dhe u kishin marrë kokat katër qeveritarëve më të lartë të Stambollit. Na kujtohen suljotet me Bubulinën në krye, pastaj Sefë Kosharja e Mic Sokoli,  Zenel Gjoleka e Çerçiz Topulli, Oso Kuka e Dedë Gjo Luli, Azem Bejta e Shotë Galica, Elez Isufi e Rrustem Dibra, Avi Rrustemi e Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e Hasan Prishtina, Bule Naipi e Persefoni, Emin Duraku e Gjon Serreçi, Adem Jashari e Zahir Pajaziti, Indrit Cara e Astrit SuliNjazi Azemi e Harun Aliu, si dhe qindra e mijëra të tjerë.

Më 25 gusht të vitit 1998, në Bajrak të Kumanovës, në fshatin Luzhnicë, në jug të Drenicës, në Kosovë, kanë rënë duke luftuar kundër forcave fashiste serbe: Ismet Jashari-Kumanova, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Habib Zogaj, dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Te Guri i Bajrakut, Luzhnicë – Therandë Monumenti i Ismet Jasharit – Komandant Kumanova

Çka kishin të përbashkët Heronjtë e Vigut me Heronjtë e Bajrakut?

Pesë idealistë, bij të popullit, në gusht të vitit 1944, nga Shkodra  nisën rrugës për në Mirditë, si një njësit vullnetarësh, që kishte marrë përsipër të  ndërlidheshin me partizanë të tjerë në ato anë, por në hyrje të Mirditës i pret prita vrastare. Vendi ishte nën pushtimin gjerman dhe kishte mjaftuar aq për rrethimin dhe vrasjen e tyre. ( Ndue Dedaj)

Ata nuk ishin dorëzuar,  sepse ideal kishin çlirimin e Shqipërisë nga forcat naziste gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mirëdita u ndie e prekur dhe e fyer. Iu kishin vrarë në Besë të Konakut e Bajrakut dhe në Besë të Rrugës së Madhe pesë djem të ri, mosha mesatare  24 vjet. Atë ditë, me gjakun e tyre rinor skuqen tokën e Mirditës: Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda.

Më 24 dhe 25 korrik të vitit 1998, në luftë të pabarabartë, nën rrethim të forcave serbe kishin rënë dëshmorë te Bajraku i Luzhnicës: Komandanti i pikës, Ismet Jashari, pastaj Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Habib Zogaj. Edhe mosha e tyre mesatare e jetës kishte qenë e njëjtë, ashtu sikur kishin qenë dhe do të jenë përgjithmonë, të njëjta dhe të patjetërsueshme,  idealet për drejtësi, barazi e  liri.

Në vig të Mirditës u luftua për çlirimin e Shqipërisë nga forcat e huaja fashiste, në Bajrak të Kumanovës u luftua kundër regjimit fashist serb, që mbante nën okupim Kosovën qysh prej vitit 1912. Gjaku i derdhur në Vig dhe në qindra troje e toka të Atdheut solli çlirimin e Shqipërisë nga robëria gjashtë-vjeçare fashiste, ndërsa gjaku i derdhur në Luzhnicë, dhe kudo në Kosovë solli çlirimin e Kosovës pas robërisë  gati njëshekullore.

72 vjet pas rënies së dëshmorëve në Vig dhe 18 vjet pas rënies së pesë dëshmorëve në Luzhincë, janë vite për reflektim, për të kujtuar ku ishim dhe ku jemi, e  kemi realizuar amanetin e tyre, apo po na kthehet si shuplakë fytyrës mësimi i pa mbajtur mend i historisë?.

Monumenti i Heronjve të Vigut që kishte qëndruar më shumë se gjysmë shekulli në qendër të Shkodrës, në vitin 2010, nga një inkursion i forcave hakmarrëse politike ishte hequr nga Shkodra dhe ishte hedhur në depon e plehrave të qytetit. Katër vite më vonë, forca tjetër politike  e kishte  kthyer Monumentin në vendin e mëparshëm. Edhe dëshmorët po na i abuzon  dhe po na i përvetëson politika antikombëtare.

Në Bajrak të Kumanovës, qëndron guri gjigant disa tonësh i skalitur me emrat e pesë dëshmorëve. Monumenti guror është futur në përjetësinë fizike të tokës, është bërë bashkë me të dhe  duket sikur gur, që ka mbirë nga toka, por sa do të qëndrojë atje ku është?

Themelimi i gjykatës speciale kundër UÇK-së, të cilin e kanë votuar edhe disa nga bashkëluftëtarët e Adem Jasharit,  Ismet Jasharit, e mijëra  dëshmorëve e martirëve të Kosovës, shënon fillimin e riciklimeve të historisë sonë, fillimin e përzierjes së vlerave dhe antivlerave, të tradhtarëve e çlirimtarëve, të bashkëpunëtorëve e idealistëve.

Gjatë këtyre 18 viteve sa e sa baltë është hedhur dhe po hidhet  mbi dëshmorët nga shqipfolësit e shqipshkruesit, nga bashkëpunëtorët e mercenarët, nga mbetjet e regjimeve pushtuese serbe në Kosovë.

Ata i verbon shkëlqimi i gurit në Bajrak të Luzhnicës, që tani quhet Bajraku i Kumanovës, ata i verbon dhe i godet në zemër Kompleksi i Legjendarit dhe i Jasharëve, në Prekaz, në Gllogjan, në Koshare dhe gjithandej në trojet e Kosovës dhe në trevat shqiptare.

Dëshmorët, heronjtë, martirët janë bima kombëtare që kurrë nuk thahet, janë amaneti metafizik që kurrë nuk zbehet, pavarësisht rrebesheve, furtunave, stuhive që nuk na kanë kursyer, as po na kursejnë, qoftë  ato që vinë nga Lindja,  qoftë këto që  vinë nga Perëndimi.

Kruja, Kurbini, Prekazi, Vigu, Bajraku, nuk shkulen dot nga toka arbërore, ku janë ngulur në thellësi rrënjët tona historike e parahistorike. Kjo është bota jonë ilire, arbëreshe, shqiptare, përjetësia e shkruar me gjak, amaneti i përcjellë nga brezi në brez.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …