Ali Ahmeti për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: “Të na gjejë ballë-lartë si dje, jo të përkulur si sot”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kujtuar sot 24-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar si një moment historik ku shqiptarët dhe maqedonasit “ia shtrinë dorën njëri-tjetrit për të ndërtuar një Maqedoni të re, të barabartë dhe të integruar në NATO e BE”. Në një video-mesazh, Ahmeti theksoi se kjo marrëveshje, e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, solli një epokë të re për vendin, duke hapur rrugën për integrime euroatlantike. Ai përmendi arritje të rëndësishme si anëtarësimi në NATO, nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërtimi i universiteteve, institucioneve kulturore dhe atyre që ruajnë identitetin kombëtar. “Kemi drejtuar Kuvendin dhe të gjitha ministritë, duke kulmuar me pozitën e premtuar dhe të realizuar të kryeministrit të parë shqiptar,” tha Ahmeti, duke kujtuar se gjatë më shumë se dy dekadave janë arritur hapa të mëdhenj në drejtim të barazisë dhe përfaqësimit. Megjithatë, ai u shpreh kritik për gjendjen aktuale, duke bërë thirrje për unitet. “Të bëhemi bashkë që çerekshekulli i Marrëveshjes së Ohrit të na gjejë ballë-lartë si dje, e jo të përkulur, nënçmuar e të përbuzur si sot,” theksoi lideri i BDI-së. Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, pas një konflikti të armatosur mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe ushtrisë e policisë së Maqedonisë së atëhershme. Marrëveshja garantoi ndryshime të rëndësishme kushtetuese e ligjore, duke i dhënë shqiptarëve më shumë të drejta dhe pjesëmarrje në institucionet shtetërore.

Kontrolloni gjithashtu

Mustafa: Prioritetet kryesore rendi, ligji, normalizimi i vendit, të lidhemi fort me interesat shtetërore

Rrustem Mustafa, përdor një metaforë të Dritëro Agollit për të kritikuar politikën në Kosovë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, …