Adri Nurellari: Kurti godet Kushtetuesen sa herë që ka vendime kundër tij

Analisti politik Adri Nurellari ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për qasjen ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sjelljen e tij në raport me institucionet e pavarura. Në një intervistë për ABC News, Nurellari tha se Kosova prej muajsh gjendet në një “ngërç politik” për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe akuzoi Kurtin për arrogancë politike që, sipas tij, ka dëmtuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. “Nga ana e Vetëvendosjes është bërë traditë që, sa herë që gjyqësori nxjerr në pah tentativat e Kurtit për të shkelur Kushtetutën, ai e sulmon Gjykatën Kushtetuese. Por kjo është e njëjta gjykatë që i hapi rrugën ardhjes së tij në pushtet. Kjo tregon një sjellje jo të drejtë ndaj drejtësisë, një sjellje jo institucionale dhe vë në pikëpyetje funksionimin bazik të institucioneve në Kosovë”, deklaroi ai. Nurellari komentoi edhe reagimin e ambasadës gjermane, e cila i ka bërë thirrje klasës politike që të zgjidhë sa më shpejt ngërçin politik, duke paralajmëruar pasoja nëse situata vazhdon. Analisti e cilësoi këtë reagim si një “kambanë alarmi” për vendin. “Shtetet mike janë të alarmuara me papërgjegjshmërinë, arbitraritetin dhe arrogancën e treguar. Tentativat e Kurtit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij Dehari në Kuvend, ishin antikushtetuese. Në këtë mënyrë dëmtohet baza dhe themeli i sigurisë së Kosovës”, theksoi ai. Sipas Nurellarit, vazhdimi i kësaj krize jo vetëm që pengon funksionimin normal të institucioneve, por rrezikon edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë në stabilitetin e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: “Të na gjejë ballë-lartë si dje, jo të përkulur si sot”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kujtuar sot 24-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë …