Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka deklaruar se në vitin 2019 Kosova ka qenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, gjatë kohës kur President i vendit ishte Hashim Thaçi. Dërguti tha se e mbështeste plotësisht qëndrimin e atëhershëm të Thaçit, i cili, sipas saj, kërkonte një marrëveshje paqeje që do të përfshinte një korrigjim të lehtë të kufijve. “Faktikisht, në vitin 2019 kemi qenë në prag të përmbylljes së një marrëveshjeje në kohën e Presidentit Hashim Thaçi dhe mendoj se ky ishte një shans i humbur. Pajtohem me atë që thoshte z. Thaçi: nuk pajtohemi për asgjë pa u pajtuar për të gjitha. Do të kishim marrëveshje përfundimtare, marrëveshje paqeje dhe korrigjim të lehtë të kufijve, sepse ende nuk kemi demarkacion me Serbinë, siç kemi me Maqedoninë e Malin e Zi. Kjo do t’i hapte rrugë bashkimit kombëtar,” u shpreh Dërguti.
