ZRrE: Tarifat e rrymës mund të ndryshojnë në dhjetor

Zyra e Rregullatorit për Energji ka lënë të hapur mundësinë që në fund të këtij viti të shqyrtojë përsëri tarifat e energjisë elektrike. Kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu, tha se ndryshimet mund të nënkuptojnë ngritje apo ulje çmimesh, varësisht nga kostoja e sistemit dhe zhvillimet në tregjet rajonale. Kjo deklaratë vjen vetëm pak muaj pas vendimit të prillit, kur ZRrE rriti çmimin e energjisë me 16.1%, që hyri në fuqi nga 1 maji, duke rënduar ndjeshëm buxhetet familjare. Megjithëse Fejzullahu u përpoq ta paraqiste procesin si teknik dhe të paanshëm, ai vetë pranoi se tejkalimi i parashikimeve të importit dhe rritja e konsumit po e shtyjnë sistemin drejt kostove më të larta. Ekspertët e energjisë kritikojnë faktin se rritjet e njëpasnjëshme po justifikohen gjithmonë me “parashikime të gabuara” dhe se mungesa e transparencës i lë qytetarët pa garanci se kjo nuk do të përsëritet çdo vit. Për më tepër, liberalizimi i tregut energjetik, që supozohej të sillte konkurrencë dhe çmime më të favorshme, deri tani ka përfituar kryesisht bizneset, ndërsa qytetarët e zakonshëm po përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta. Në këtë klimë pasigurie, njoftimi i ZRrE-së se tarifat mund të rishikohen në dhjetor – sërish pa garanci – e shton edhe më shumë frikën te konsumatorët se barra financiare do të vazhdojë të bjerë mbi ta, ndërsa institucionet vazhdojnë të operojnë me improvizime dhe pa strategji afatgjatë.

Kontrolloni gjithashtu

Veteranët e UÇK-së: Nëse nuk shkarkohet Dimal Basha, protestat janë të pashmangshme

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së,  ka paralajmëruar se do të nisë protesta nëse …