Në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, zhvilluan sot një takim me eurodeputetin austriak, Lukas Mandl, i njohur për mbështetjen e tij të fuqishme dhe të qëndrueshme për Kosovën. Gjatë takimit, Gucati dhe Syla paraqitën shqetësimet lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe vlerave mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës. Eurodeputeti Mandl dëgjoi me vëmendje qëndrimet e tyre, duke shprehur mirëkuptim për çështjet e ngritura. Përfaqësuesit e OVL UÇK-së e falënderuan për përkrahjen dhe e ftuan që këto mesazhe t’i përcjellë tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian si dhe tek institucionet përkatëse të shtetit të tij, me qëllim që të sigurohet mbështetje më e gjerë për kauzën e drejtë të Kosovës. Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve të OVL UÇK-së për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.
