Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Për tri ditë me radhë ai dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët Prokuroria i akuzon për krime të pretenduara të luftës. “Ka qenë privilegj të jem këtu. Edhe pse zgjati, është përdorim shumë i rëndësishëm i kohës sime”, u shpreh Rubin para se të largohej nga banka e dëshmitarit. Pas dëshmisë së tij, procesi do të vazhdojë me dëshmitarin e radhës të propozuar nga mbrojtja e Thaçit. Në thelb të dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte rol udhëheqës ushtarak në UÇK, por ishte i përqendruar në sigurimin e pavarësisë dhe të ardhmes së sigurt për shqiptarët e Kosovës.
