Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës “Shqipëria, Horizonti i ri” në Vjenë, u shpreh se Kosova duhet të fokusohet në përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian dhe jo në veprimet e Serbisë. Rama tha se është i trishtuar nga mungesa e përparimit të Kosovës në këtë drejtim, duke theksuar se rruga drejt BE-së është e qartë dhe kërkon përmbushjen e “detyrave të shtëpisë”. “Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet të dijë çfarë bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe t’ia dorëzojë BE-së fletoren me detyrat e kryera, duke kërkuar të ecë përpara”, tha Rama. Ai e cilësoi të dështuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar formatin e gabuar. Sipas tij, Kosova duhet të pranojë vetëm kushtet që lidhen me vlerat e BE-së, jo kërkesat e Serbisë. Ndërkohë, Rama u shpreh optimist për procesin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se Shqipëria po hap kapitujt e negociatave me një shpejtësi të paparë, duke e cilësuar këtë si rezultat të meritave të vendit dhe qasjes së re të BE-së pas luftës në Ukrainë. “Ballkani Perëndimor është pjesë natyrale e BE-së dhe unë besoj se anëtarësimi do të ndodhë herët”, tha kryeministri shqiptar.
