Në kohën kur legjislatura e kaluar kishte përfunduar mandatin, anëtarët e delegacioneve të Kuvendit të Kosovës vazhduan të marrin pjesë në aktivitete ndërkombëtare, me vendim të Kryesisë së Kuvendit. Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, figuron se vendimi ishte marrë më 25 nëntor 2024, duke u lejuar delegacioneve të përhershme të vazhdojnë aktivitetet deri në fund të mandatit. Mandati i legjislaturës së tetë përfundoi më 22 mars 2025, ndërsa seanca konstituive e legjislaturës së nëntë u mbajt më 15 prill 2025. Pra, ndërsa Kuvendi ishte shpërndarë dhe deputetët nuk po ushtronin më funksione ligjvënëse, ata vazhduan të përfaqësojnë Kosovën nëpër aktivitete ndërkombëtare, me shpenzime që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit. Ironia më e madhe: Kuvendi i Kosovës nuk ka publikuar as raportet financiare të viteve 2023 dhe 2024, dhe po ashtu mungon raporti për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Justifikimi është se “raportet kanë ngecur në proces miratimi nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere”. Pra, përfaqësimi ndërkombëtar nuk mungoi – sepse deputetët sigurojnë udhëtime e privilegje për veten. Por transparenca financiare mungon – sepse raportet e detyrueshme nuk publikohen, duke fshehur shpenzimet reale të institucionit. Ky është shembulli më i qartë i mënyrës se si funksionon politika kosovare: deputetët kujdesen që të mos kenë “vakum” për udhëtime dhe privilegje, por nuk tregojnë asnjë përgjegjësi për llogaridhënie financiare dhe transparencë ndaj qytetarëve. Kallxo.com
