Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka paralajmëruar për një situatë të brishtë institucionale dhe politike në vend, duke e cilësuar Kosovën si një “shtet të bllokuar” tash e tetë muaj. Ajo thekson se vendi po përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe me izolim ndërkombëtar, si rezultat i dështimeve të Qeverisë Kurti. Tahiri tha se rruga e vetme për dalje nga kjo gjendje është një marrëveshje politike ndërmjet partive kryesore – PDK, LDK, VV dhe AAK, që do të mundësonte konstituimin e Parlamentit dhe krijimin e një qeverie funksionale. “Kosova është kthyer mbrapa, është bërë shtet i brishtë. Këto parti kanë obligim politik e kombëtar ta kthejnë Kosovën në një shtet funksional për të mirën e popullit dhe integrimin euro-atlantik. Vetëm kompromisi politik mund të sjellë rrugëdaljen”, deklaroi Tahiri. Ajo e cilësoi si përgjegjës kryesor për krizën aktuale kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili sipas saj “po e mban peng Kosovën vetëm sepse nuk po mund të bëhet kryeministër”. “Kurti krejt mendjen e ka te pushteti, por jo te shteti e populli. Kosova nuk e ka merituar këtë gjendje të bllokuar, ilegale dhe antikushtetuese. Po qeveris pa legjitimitet dhe pa institucione të konstituuara”, shtoi ajo. Tahiri theksoi se zgjedhjet e reja nuk janë automatikisht zgjidhje, pasi sipas Kushtetutës vetëm një Kuvend i konstituuar mund t’i shpallë ato. “Patëm zgjedhje, por nuk kemi zgjidhje – kjo është prova e qartë”, tha ajo, duke shtuar se Kosova nuk mund të përballojë dy palë zgjedhje radhazi në një situatë me probleme të brendshme dhe të jashtme.
