Hysni Gucati: Letra e Kurtit për Hagën është manovër elektorale, jo përkushtim ndaj ish-luftëtarëve

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka cilësuar si “kalkulim politik” veprimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për publikimin e letrës së vitit 2022 drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në të cilën ai kërkonte lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Gucati tha se publikimi i letrës vetëm katër ditë para balotazhit është i motivuar nga interesa elektorale. “Punët e mira bëhen në heshtje, por Kurti po e përdor këtë moment për të marrë vota nga qytetarët dhe veteranët. Nëse ka dashur të tregojë përkrahje për ata që janë në Hagë, pse nuk e ka bërë këtë më herët, por pikërisht tani, para zgjedhjeve?”, deklaroi ai. Sipas Gucatit, ky veprim dëshmon mungesë sinqeriteti nga ana e qeverisë aktuale ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët prej pesë vitesh mbahen në Hagë. Ai theksoi se Qeveria Kurti asnjëherë nuk ka treguar angazhim real për lirimin e tyre, përveç deklaratave politike të vonuara. Kritikët vlerësojnë se letra e publikuar është përpjekje për të fituar mbështetje në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, duke e shfrytëzuar çështjen e ish-krerëve të UÇK-së për përfitime politike.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për më shumë dashuri, përkrahje dhe trajtim të barabartë për personat me Sindromën Down

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Sindromës Down, lideri i Aleancës për Ardhmërinë …