Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës , Jakup Nura, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për studentët, duke e cilësuar këtë veprim si një manovër elektorale dhe të pandershme. Nura tha se studentët janë shtresa më e vetëdijshme dhe më e arsimuar e shoqërisë, prandaj nuk do të bien pre e “masave populiste” të kryeministrit Albin Kurti. “Duke e pasur parasysh se studentët janë pjesa më e ngritur e shoqërisë, nuk besoj se do të bien pre e këtyre 100 eurove. Mendoj se shumë më e ndershme do të ishte që studentëve t’u përmirësohen kushtet në fakultete,” – deklaroi Nura. Ai shtoi se ndihmat financiare të shpërndara në prag të zgjedhjeve nuk janë zgjidhje afatgjatë, por përpjekje për të fituar simpati politike. Sipas tij, prioritetet e vërteta të qeverisë duhet të ishin investimet në infrastrukturën universitare, rritja e cilësisë së arsimit dhe mbështetja e kërkimit shkencor. Vendimi i qeverisë për ndarjen e 100 eurove është pritur me reagime të përziera në opinion publik – një pjesë e qytetarëve e kanë mirëpritur si ndihmë ekonomike, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar si masë me motive elektorale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
