Lëvizja Vetëvendosje ka festuar të dielën në Mitrovicë pas fitores së kandidatit të saj, Faton Peci, në balotazh. Mirëpo, festimet kanë tërhequr vëmendje për shkak të një gjesti simbolik, aktivistët e partisë hodhën valle duke mbajtur “goma rezervë”, në një aludim të qartë ndaj retorikës ofenduese të përdorur më herët nga lideri i VV-së, Albin Kurti. Kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci, arriti një fitore të ngushtë dhe të mundimshme në Mitrovicë, duke mposhtur rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, i cili ishte cilësuar si një prej befasive më të mëdha të këtyre zgjedhjeve për performancën dhe përfaqësimin e tij dinjitoz. Fushata në këtë komunë ishte e ngarkuar politikisht, me një përballje të ashpër mes kandidatëve dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të strukturave qendrore të partive. Sipas vëzhguesve, përparimi i Tahirit ishte aq domethënës sa që e gjithë aparatura e Vetëvendosjes dhe qeverisë u angazhua fuqishëm për ta mposhtur kandidatin që fillimisht ishte parë si jo favorit. Vetë lideri i VV-së, Albin Kurti, gjatë kësaj fushate ishte përfshirë personalisht në retorikë përçarëse dhe sulme verbale ndaj kundërshtarëve politikë. Ai e kishte quajtur Tahirin “gomë rezervë”, një deklaratë që u kritikua gjerësisht si ofenduese dhe e papërshtatshme për një kryeministër. Festimi me “goma rezervë” në sheshin e Mitrovicës u interpretua nga shumë qytetarë si një gjest ironik dhe provokues, duke sjellë reagime të ndryshme në opinionin publik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
