Shfaqja e diplomatit amerikan Christopher Hill në Gjykatën e Hagës, në procesin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbën një moment të rëndësishëm në ndriçimin e së vërtetës për luftën e drejtë të popullit të Kosovës. Hill, një diplomat karriere dhe njohës i drejtpërdrejtë i zhvillimeve gjatë viteve të luftës, ka qenë i përfshirë aktivisht në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen paqësore të konfliktit, si dhe dëshmitar i kontaktit të parë zyrtar mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në qershor të vitit 1998, si i dërguar special i ShBA-së për Kosovën, së bashku me diplomatin e njohur Richard Holbrooke, Christopher Hill kishte zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik. Këto takime shënuan njohjen faktike ndërkombëtare të forcave çlirimtare, duke dëshmuar se UÇK-ja nuk ishte organizatë e izoluar, por një forcë përfaqësuese e rezistencës popullore që synonte lirinë dhe pavarësinë e vendit. Më 13 janar 1999, Hill, së bashku me ambasadorin amerikan William Walker, kishte vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc të Drenicës. Aty, përveç bisedimeve diplomatike, ata ndërmjetësuan lirimin e tetë ushtarëve serbë të zënë rob nga forcat e UÇK-së — një veprim që tregoi humanizmin dhe përkushtimin e strukturave të saj ndaj normave ndërkombëtare të luftës. Ky akt ishte dëshmi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte me përgjegjësi, si një forcë e organizuar që respektonte rregullat e luftës dhe synonte paqen përmes drejtësisë. Gjatë negociatave të Rambujesë, Hill ishte pjesë e “Grupit të Kontaktit”, që përfshinte fuqitë kryesore perëndimore, duke u angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo dëshmi forcon të vërtetën se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forca çlirimtare që solli lirinë, dhe jo organizatë kriminale siç përpiqen ta paraqesin sot ata që duan ta errësojnë historinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
