Dy kontrata brenda 24 orësh për kompaninë “Bageri”

Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Hysen Durmishi, ka shpërblyer brenda 24 orësh kompaninë “Bageri SH.P.K.” me dy kontrata të mëdha, secila me vlerë gati gjysmë milion euro. Kompania është aktualisht në pronësi të Leutrim Shabanit, pasi babai i tij, Bujar Shabani – i dënuar para një viti për mashtrim në prokurim publik – e ka shuar biznesin e tij individual dhe e ka transferuar te djali më 15 janar 2025. Në të njëjtën ditë kur “N.P.SH. Bageri” u shua, u regjistrua kompania e re “Bageri SH.P.K.” me 100% aksione në emër të Leutrim Shabanit. Vetëm këtë muaj, kjo kompani ka siguruar dy kontrata të mëdha nga Ministria e Infrastrukturës, të dyja të nënshkruara përmes procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë – një mekanizëm që anashkalon tenderimin e hapur. Kontrata e parë iu dha më 19 nëntor, për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale në zonën Prishtina 3, me vlerë 559 mijë e 664 euro dhe kohëzgjatje gjashtëmujore. Kontrata e dytë, nën të njëjtat procedura të negociuara dhe me vlerë të ngjashme, u nënshkrua brenda ditës pasuese – duke ngritur pikëpyetje për transparencën dhe kriteret e përdorura nga Ministria. Autoritetet përkatëse ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto tenderë.  Reporteri.net

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës

Zhvarrosen mbetje mortore në Pejë e Prizren, priten rezultatet e identifikimit me ADN

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte, …