Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka dhënë një vlerësim të ashpër për gjendjen politike në vend, duke theksuar se Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme pa një qeveri funksionale, pa dialog të qëndrueshëm me Serbinë dhe me një hapësirë informative të ekspozuar ndaj manipulimit të jashtëm. Gjatë Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, Orav paralajmëroi se dezinformimi, polarizimi politik dhe sulmet ndaj normave demokratike po e dëmtojnë seriozisht besimin qytetar dhe stabilitetin e vendit. Ai tha se Kosova vazhdon të mbetet një terren i brishtë për ndikime të jashtme, kryesisht për shkak të mungesës së edukimit medial dhe institucioneve të konsoliduara që mund t’i rezistojnë presionit. Në një mesazh të drejtpërdrejtë për klasën politike kosovare, Orav deklaroi se vendit i duhet urgjentisht një qeveri stabile, duke nënkuptuar se vakuumi institucional po e pengon Kosovën në reformat e brendshme, në proceset integruese dhe në dialogun me Serbinë. Ai nënvizoi se BE-ja ka qenë e qartë: përparimi i Kosovës nuk varet vetëm nga retorika politike, por nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Beogradin, garantimi i sundimit të ligjit, liria e mediave dhe mbrojtja e karakterit shumetnik të vendit. Orav rikujtoi se BE-ja “ka nevojë për një partner në Kosovë” dhe se pa një qeveri të zgjedhur e funksionale, proceset kyçe për të ardhmen europiane të vendit mbeten të bllokuara. Deklaratat e tij janë konsideruar nga analistët si një kritikë e drejtpërdrejtë për ngërçin e skenës politike kosovare dhe mungesën e përgjegjësisë së institucioneve në një moment vendimtar për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
