Asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk ofron programe të qarta, të strukturuara dhe të matshme për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Kjo është gjetja kryesore e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, të prezantuar këtë të martë. Sipas raportit, VV, PDK, LDK dhe AAK flasin për reforma gjatë debateve dhe fushatave, por këto zotime nuk janë të reflektuara në programet zyrtare. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e plotë e vettingut në drejtësi në të gjitha programet politike. Hulumtimi është realizuar përmes 10 indikatorëve që përfshijnë qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, duke analizuar strukturimin, buxhetimin dhe afatet e zotimeve, e jo realizueshmërinë e tyre. IKD thekson se shumica e angazhimeve mbesin deklarative, pa masa konkrete zbatimi. Në renditjen e përgjithshme, AAK kryeson me 13 pikë, pasuar nga LDK me 11, LVV me 9, ndërsa PDK renditet e fundit me 6 pikë. Sipas IKD-së, programet aktuale nuk ofrojnë baza serioze për reforma reale në drejtësi dhe qeverisje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
