Gazmend Syla: Rreth gjysmë milioni vota kundër UÇK-së, shteti po shkëputet nga lufta e lirisë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj vlerave të luftës çlirimtare. Syla ka deklaruar se “rreth gjysmë milioni vota janë kundër UÇK-së”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka fituar zgjedhjet me një listë që, sipas tij, është pa vlerë kombëtare dhe e shkëputur plotësisht nga luftëtari dhe sakrifica e tij. “Një listë pa asnjë vlerë kombëtare fitoi përballë tri listave të tjera të mbushura me atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar. Për pesë vjet nuk e ktheu kurrë kokën nga luftëtari”, ka shkruar Syla. Ai ka rikujtuar edhe vendimin për ndarjen e pensionit të veteranëve nga paga minimale, i cili, sipas tij, është miratuar në Kuvend me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, duke e lënë veteranin me 204 euro pension mujor. “Një listë që, bashkë me Listën Serbe, e la luftëtarin me 204 euro pension – shumë që nuk mjafton as për të paguar faturën e rrymës. Një listë që deklaroi se më mirë të paguhen mercenarë të huaj sesa luftëtarët e popullit”, ka theksuar ai. “Fatkeqësisht, shteti po shkon duke u shkëputur nga lufta që e solli lirinë, dhe kjo ka emër”, ka përfunduar Syla, i cili ishte edhe kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake. NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme. “Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte. Ajo do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti, duke qenë se ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020. Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mirçea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

NATO: Shqipëria dhe Kroacia aleatë kyç në dialogun Kosovë-Serbi mbetet prioritet

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka komentuar takimin trilateral mes Kosova, Shqipëria dhe …