Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim se rezultatet e zgjedhjeve të fundit nuk do të adresojnë problemet e përditshme me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës, duke vënë theksin te kriza e thelluar energjetike në vend. Sipas Haradinajt, gjendja me furnizimin me energji elektrike është alarmante, me reduktime të zgjatura në shumë vendbanime, në një periudhë me temperatura të ulëta, kur shumica e qytetarëve mbështeten në energji për ngrohje. Ai theksoi se situata rëndohet edhe më tej nga prania e mërgatës, e cila po i kalon pushimet në atdhe. “Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm,” ka deklaruar Haradinaj, duke kërkuar investime urgjente në kapacitete të reja energjetike. Sipas tij, ndërtimi i termocentraleve me thëngjill dhe gaz është i domosdoshëm për të shmangur mungesat e energjisë dhe faturat e larta për qytetarët. Haradinaj ka bërë thirrje që siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare, me politika të qarta dhe vendime të shpejta që garantojnë furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme për familjet dhe ekonominë e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
