Ju falenderoj nga zemra secilin qytetar për votën dhe mbështetjen që ma keni dhënë më 28 dhjetor. Kjo mbështetje, edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur qëllimin, për mua përfaqëson një besim të madh.
Në çdo shtëpi, në çdo fshat e në çdo qytet ku jam pritur me respekt dhe dinjitet, kam ndier nga afër besimin tuaj dhe pritjen për ndryshim. Ky besim është arsyeja pse angazhimi im publik nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë personal, por gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm.
Edhe pse mandati im i parë ishte i shkurtër, jam përpjekur vazhdimisht ta jap maksimumin për vendin dhe për partinë, duke vepruar me përgjegjësi dhe bindje politike.
Edhe në momente të vështira, kur vendimet e partisë nuk kanë qenë të lehta e as gjithmonë të mirëpritura, kam zgjedhur t’i respektoj ato. Kam mbështetur qëndrime për të cilat kam qenë i vetëdijshëm se do të më kushtonin politikisht. Edhe kur partia ka kaluar në faza përçarjeje, kam mbrojtur interesin e saj, jo veten time.
Megjithatë, është bërë e qartë se shpeshherë vlerësohen më shumë vendimet populliste ose heshtja, sesa qëndrimi i hapur dhe mbrojtja e bindjeve politike. Përkundër kësaj, besoj se roli i individit ka rëndësi vetëm aq sa i shërben një vizioni më të madh dhe një qëllimi të përbashkët.
Shpresoj që kushdo që qeveris me vendin, sot apo nesër, ta ketë prioritet përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kthimin e Kosovës drejt normalitetit, zhvillimit dhe bashkëjetesës demokratike. Vendi ka nevojë për qeverisje me vizion dhe përgjegjësi, jo për stagnim, përçarje dhe gjuhë urrejtjeje, siç fatkeqësisht i kemi përjetuar gjatë këtyre pesë viteve, e veçanërisht gjatë vitit 2025.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
