Protestë më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, organizohet nga “Liria ka emër”

Një protestë në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të mbahet më 17 shkurt, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Protesta do të organizohet në Prishtinë nga platforma “Liria ka emër”. Fillimisht ishte raportuar se protesta do të organizohej nga kategoritë e dala nga lufta, mirëpo burime të njëjta bëjnë të ditur se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk do të jetë pjesë e bashkë organizimit. Arsyeja, sipas këtyre burimeve, lidhet me faktin se OVL-UÇK “nuk dëshiron të jetë pjesë e ngjyrimeve partiake”, duke synuar të ruajë neutralitetin e saj politik. Platforma “Liria ka emër” pritet të sqarojë më shumë detaje rreth protestës dhe aktiviteteve të saj në një konferencë për media që do të mbahet sot në orën 13:30. Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të “trajtohen çështje që lidhen me aktivitetet dhe qëndrimet e platformës”. Protesta e paralajmëruar vjen në një kontekst të ndjeshëm politik dhe shoqëror, ku çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale dhe proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të ngjallin reagime të forta në opinionin publik. Organizatorët pritet ta përdorin simbolikën e 17 shkurtit për të dërguar mesazhe politike dhe shoqërore, ndërsa mbetet të shihet se sa e gjerë do të jetë pjesëmarrja dhe çfarë ndikimi do të ketë protesta në skenën politike në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Gucati: Presidenti dhe ish-krerët e UÇK-së do të dalin fitimtarë

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale po shkon drejt përfundimit. Të hënën, …