ZRRE-ja

ZRRE nuk sqaron kthimin e bizneseve në shërbimin universal, paralajmëron “fazë të re” nga 1 prilli

Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka dhënë sqarime nëse bizneset që tashmë nuk i përmbushin kriteret ligjore do të kthehen në furnizimin me tarifa të rregulluara, ndërsa ka paralajmëruar nisjen e një “faze të radhës” të daljes në tregun e hapur të energjisë elektrike nga 1 prilli i këtij viti. Duke u bazuar në dy kritere – më shumë se 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor – nga 1 qershori i vitit të kaluar rreth 1 mijë e 300 biznese të mëdha janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë. Sipas njoftimit të ZRRE-së, këta konsumatorë komercialë janë larguar nga Shërbimi Universal dhe nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara. Megjithatë, pavarësisht se një pjesë e bizneseve kanë pësuar ndryshime dhe tashmë bien nën këto pragje, ato nuk janë kthyer në furnizimin me tarifa të rregulluara. Në anën tjetër, bizneset që vitin e kaluar nuk i plotësonin kriteret, por ndërkohë kanë tejkaluar numrin prej 50 punëtorësh ose qarkullimin vjetor prej 10 milionë eurosh, vazhdojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara, njësoj si konsumatorët shtëpiakë.  “Procesi i përditësimit të listës së konsumatorëve sipas kritereve ligjore ende nuk ka filluar. Faza e radhës e daljes së konsumatorëve në tregun e hapur është planifikuar të nisë më 1 prill të këtij viti dhe do të bazohet në të dhënat zyrtare që do të merren nga ATK-ja për këtë qëllim”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin …