Zyra e Rregullatorit për Energji, tashmë e ka në tavolinë aplikimin për rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, së bashku me dokumentacionin për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale. Nëse ky propozim aprovohet, konsumatorët në Kosovë do të përballen me shtrenjtimin e katërt të rrymës brenda një mandati qeverisës të Albin Kurtit – një bilanc që po rrit pakënaqësinë publike dhe presionin mbi ekonomitë familjare. Jo-zyrtarisht, televizioni Dukagjini ka mësuar se rritja e propozuar është në përqindje dyshifrore, por as ZRRE-ja dhe as kompania KESCO nuk e kanë konfirmuar apo mohuar këtë informacion. Rregullatori ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve për të hyrat e lejuara maksimale deri më 28 janar, duke refuzuar të publikojë shifrat para përfundimit të kësaj faze. “Sa i përket propozimit të Furnizuesit me Shërbim Universal, për të hyrat e lejuara maksimale, nivelin e kostove, të hyrave dhe tarifat për vitin 2026, këto informacione do të jenë të disponueshme vetëm pas dorëzimit të aplikimeve dhe përfundimit të kontrollit fillestar administrativ nga ZRRE-ja”, thuhet në përgjigjen e Rregullatorit. Edhe KESCO-ja, si Furnizues i Shërbimit Universal, ka refuzuar të japë detaje, duke u thirrur në procesin ende të hapur të aplikimit dhe në udhëheqjen e ZRRE-së. Një tjetër faktor shqetësues është paralajmërimi për ndalje të prodhimit në njësitë e termocentralit “Kosova B” për një pjesë të madhe të vitit 2026, për shkak të investimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
