GS1 Kosova ka gjeneruar barkodin e parë zyrtar për kompaninë Pestova, duke shënuar një moment historik për Republikën e Kosovës dhe për ekonominë vendore në tërësi.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të produkteve kosovare në tregun ndërkombëtar, pasi barkodi GS1 u mundëson produkteve të identifikohen në mënyrë unike dhe të pranohen në zinxhirët globalë të furnizimit, në tregti, logjistikë dhe shpërndarje.
Gjenerimi i këtij barkodi nënkupton se produktet e prodhuara në Kosovë tashmë do të kenë identitet ndërkombëtar të njohur, duke rritur transparencën, besueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale dhe globale.
Kompania Pestova, si përfituese e parë e këtij shërbimi nga GS1 Kosova, po vendos një standard të ri për sektorin prodhues në vend, duke dëshmuar gatishmërinë e bizneseve kosovare për t’u përshtatur me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare.
GS1 Kosova mbetet e përkushtuar të mbështesë bizneset vendore në procesin e digjitalizimit, standardizimit dhe rritjes së pranisë së tyre në tregjet globale, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Ky moment shënon fillimin e një kapitulli të ri për produktet “Made in Kosova”.