Rutte: KFOR-i do të mbetet i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedonia e Veriut, deklaroi se misioni i KFOR në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”, pavarësisht raportimeve për një zvogëlim të mundshëm të pranisë ushtarake. Në konferencën e përbashkët për media me presidenten Gordana Siljanovska Davkova në Shkup, Rutte theksoi se Maqedonia e Veriut ka qenë prej kohësh mbështetëse e misionit paqeruajtës në Kosovë, duke e falënderuar për kontributin e vazhdueshëm. Ai nënvizoi se KFOR-i vazhdon të luajë rol themelor në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe se NATO do të sigurohet që misioni të mbetet operacionalisht i fortë dhe plotësisht funksional. Sa i përket raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë lobuar për reduktimin e operacionit, Pentagoni ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka ndryshime në stacionimin e forcave. Rutte përsëriti gjithashtu angazhimin e palëkundur të NATO-s për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare, pavarësisht nga natyra e kërcënimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
