Ali Hertica

Mr. Ali Hertica: Mashtrime dhe gënjeshtra politike në Kosovë

Tokëvili, një nga filozofët më të mëdhenj të demokracisë, thekson se në një demokraci ku politikanët përpiqen të fitojnë ose të mbajnë pushtetin për sa më gjatë të jetë e mundur, një politikan duhet të gënjejë vazhdimisht për qëllimet e tij ose, si të thuash, të manovrojë për të ngatërruar kundërshtarët e tij, duke paraqitur një fytyrë të ndryshme nga ajo që njerëzit supozohet të pranojnë.

Kështu duket edhe fushata zgjedhore e vitit 2025, pasi për herë të parë, pas shumë e shumë fushatave zgjedhore të përgjithshme dhe lokale, ajo ka kaluar pa fyerje e poshtërime serioze, apo edhe përplasje fizike, të cilat në të kaluarën ishin mjaft të zakonshme. Megjithatë, askush nuk e beson plotësisht këtë, sepse dihet se në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Përveç faktit se dy udhëheqësit e partive kryesore të vendit — LVV, PDK, LDK dhe AAK — kanë zhvilluar një fushatë më të përmbajtur. Albin Kurti, për shkak të madhësisë së makinës së tij propagandistike, është bërë edhe më populist, duke shmangur me kujdes premtimet e pambajtura gjatë katër viteve të qeverisjes, ndërsa shpesh ka fajësuar drejtpërdrejt aleatët ose kundërshtarët e tij politikë.

Njëkohësisht është tentuar të zhvillohet edhe një fushatë e zbehtë me një aleat teknik, Bashën, duke e kritikuar atë pa e shqetësuar realisht. E gjithë kjo po ndodh sepse, për herë të parë, dy partitë kryesore të vendit po tentojnë të krijojnë mundësi bashkëjetese edhe pas zgjedhjeve. Kjo i ka lënë shumicën e partive më të vogla disi të hutuara, pasi ato nuk e kishin parashikuar këtë kthesë të papritur të zhvillimeve politike nga dy rivalët kryesorë.

Megjithatë, gënjeshtra më e “kënaqshme” është ajo e përfaqësuesve të pozitës, të cilët premtojnë një republikë të re. Dhe nuk ndalet këtu, sepse fjala që dëgjohet më shpesh në këtë fushatë zgjedhore është mbiemri “i ri”: “republikë e re”, “fillim i ri”, “qeveri e re” dhe, natyrisht, fraza “Republika e re”.

Për të pasur një republikë, siç e hasim në historinë e mendimit dhe praktikës politike, ajo duhet të përbëhet jo vetëm nga njerëz, por edhe nga qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike, domethënë nga qytetarë që dyshojnë në atë që u thonë udhëheqësit e tyre. Kjo republikë që kemi krijuar duket se nuk dëshiron qytetarë të tillë të denjë, por njerëz që, edhe nëse jetojnë në shtëpi në prag të shembjes, krenohen me kullën e qytetit, me sheshin më të bukur apo me faktin se udhëhiqen nga më të mëdhenjtë në botë.

Për të pasur një republikë demokratike, ajo duhet të bazohet në barazinë e rrethanave, jo thjesht në barazinë e individëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbulohen dhe të zhvillohen aftësitë e njerëzve që përfshihen në çështjet politike.

Ekziston edhe një postulat që shpesh përdoret për të përshkruar karakterin e një politikani: një politikan është i mirë për aq kohë sa mund të përballojë intensitetin e fyerjeve dhe të kritikave publike që i drejtohen. Në fakt, politikanët me përvojë zhvillojnë një personalitet që u lejon të qëndrojnë të patrazuar, të jetojnë mes gënjeshtrave dhe të ruajnë një fytyrë të qetë para publikut. Megjithatë, jo të gjithë mund ta bëjnë këtë. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz nuk janë të gatshëm të marrin një rol politik.

Në të vërtetë, në këtë fushatë zgjedhore, ashtu si edhe në të kaluarën, qytetarët po dëgjojnë nga politikanët e të gjitha partive pikërisht atë që presin të dëgjojnë. Të gjithë politikanët gënjejnë; pyetja është vetëm se kush gënjen më pak dhe kush gënjen më shumë. Ata u premtojnë qytetarëve atë që këta dëshirojnë të dëgjojnë. Nëse nuk premton, nuk zgjidhesh.

Nëse flasim për politikanë që përpiqen t’i mbajnë gënjeshtrat më të fshehta ose më të kujdesshme, kjo mund të duket e pranueshme, por shpesh ndodh që politikanët të gënjejnë sepse besojnë se publiku nuk impresionohet më nga gënjeshtrat e tyre. Gjendja bëhet edhe më e keqe kur politikanët shqiptarë përsërisin të njëjtat gënjeshtra, duke menduar se, të ripaketuara në një formë më të rafinuar, ato nuk janë më të njëjtat dhe se qytetarët do t’i pranojnë përsëri.

Sociologët madje besojnë se politikanët gënjejnë sepse, duke gënjyer vazhdimisht, fillojnë të besojnë edhe vetë në gënjeshtrat e tyre dhe përpiqen t’ia paraqesin publikut si të vërteta. Në fund të fundit, një popull që ka humbur besimin në institucionet e vendit të tij nuk mund t’u besojë politikanëve që duan t’i udhëheqin ato institucione, edhe nëse votojnë për ta.

Dihet mirë se në një fushatë zgjedhore, nëse dëshiron që qytetarët të votojnë për ty, duhet të bësh premtime. Në një farë mënyre është pothuajse e pamundur që dikush që kërkon votën e qytetarëve, duke premtuar shumë më tepër sesa është e mundur të realizohet, të mos gënjejë.

Ajo që politikanët mësojnë nga këshilltarët dhe strukturat e tyre është e thjeshtë: t’u tregojnë qytetarëve gjëra që mund t’i ndikojnë sipas dëshirës së tyre. Por shpesh ndodh që premtimet të thyhen aq shumë, sa në thelb ato janë thjesht gënjeshtra.

Megjithatë, asnjë politikan që kërkon votën e qytetarëve nuk mund të premtojë asgjë pa rrezikuar të gënjejë. Në një farë mënyre, gënjeshtra është bërë pjesë e “përshkrimit të punës” së të qenit politikan.

Në fakt, shkencëtarët politikë theksojnë se kjo duhet t’i bëjë qytetarët edhe më skeptikë ndaj asaj që u thuhet. Ne duhet të mësojmë ta përdorim lirinë dhe demokracinë për një jetë më të mirë dhe për një ngritje shpirtërore të shoqërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Babi, një vit pa Ty, një jetë me mall dhe frymëzim

BABI- Kaluan 366 ditë të mbushura me mungesën tënde të thellë, me mallin që nuk …