Ekspozita „Masakrat në Kosovë 1998–1999“, e prezantuar para disa ditësh në rrugën „Nënë Tereza“ në Prishtinë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një projekt i radhës së kësaj qeverie, e cila përpiqej të tjetërsonte një të vërtetë historike përmes veprimeve të Shkëlzen Gashit. Në këtë kohë, kur fjala kërkon peshë dhe maturi, ai me mjeshtëri përdori influencën e tij për të shtrembëruar të vërtetën rreth masakrave në Kosovë.
Prezantimi i fakteve pa asnjë konsultim paraprak me të mbijetuarit e masakrave dhe dëshmitarët okularë të burgut të Dubravës nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të realizuar sa më bindshëm misionin e tij qëllimkeq. Justifikimi i tij, për ta fshehur qëllimisht të vërtetën rreth masakrave, është një shkelje e padrejtë mbi dinjitetin e viktimave.
Të përpiqesh ta tjetërsonte të vërtetën faktike në syrin e opinionit tonë është jo vetëm papjekuri profesionale, por edhe papërgjegjësi etike. Tentativa për t’i servirur opinionit një version të ri narrativ për të burgosurit në burgun e Dubravës, me pretendimin se “një pjesë e tyre kanë qenë të armatosur”, është skandaloze dhe jashtë çdo logjike njerëzore.
Ekspozita nuk ishte vetëm një trillim artistik, por edhe një fyerje e hapur ndaj qindra viktimave të atyre masakrave dhe familjarëve të tyre. Duke u përpjekur të përbaltë të vërtetën historike, ai ka krijuar alibi për t’i përmbushur apetitet e veta, jo vetëm personale, por edhe politike.
Historia e luftës sonë nuk është thjesht një renditje kronologjike e ngjarjeve, por edhe një kujtesë e atyre që humbën gjithçka për të jetuar ne të lirë. Prania e tij nëpër mediume të ndryshme, herë në cilësinë e analistit e herë të opinionistit, shpesh ka krijuar konfuzion në prezantimin e fakteve mbi të vërtetën e ekspozitës.
Kjo gjendje e krijuar nxiti reagimin e ashpër të qytetarëve kundrejt tij, i cili, duke e kuptuar situatën, u detyrua të kërkojë falje publike. Në fakt, kjo ishte një kërkimfalje e imponuar, e cila tingëllonte e zbrazët dhe pa asnjë ndjesi pendese. Përkundrazi, veprimi i tij momental u pa si përpjekje për të ulur tensionet e momentit, vetëm sa për sy e faqe.
Ndërkohë, familjarët e revoltuar u përpoqën ta thonë të vërtetën e tyre, qoftë përmes pranisë në ekspozitë, qoftë në përvjetorët e masakrave përmes mediave të ndryshme televizive. Reagimi qytetar mori formë të prerë vetëm pas organizimit të veteranëve të UÇK-së, bashkë me familjarët e viktimave, të cilët protestuan para Kuvendit të Kosovës, me shpresë se një delegacion i tyre do të pritej nga Kryeparlamentarja për t’u sqaruar rreth situatës.
Por, për fat të keq, ata u penguan në mënyrë të ashpër nga policia e shtetit, për formimin e së cilës ata kishin luftuar denjësisht. Nuk ishte i rastësishëm ky organizim, sidomos pas vërtetimit të fakteve të ekspozitës nga ana e veteranëve të luftës.
Arsyeja pse ata u bënë kaq të pathyeshëm në reagimin e tyre ishte se e kishin kuptuar me kohë lojën e Shkëlzenit karshi ekspozitës. Ata ishin të vetëdijshëm se ky autor kishte zgjedhur të publikonte në ekspozitë materiale burimore të prodhuara nga politika ditore proruse e Vuçiçit kundër shtetit tonë—fakte të njohura për karakterin e tyre propagandistik kundër të vërtetës së luftës, me qëllim që të ulet sa më shumë vlera e saj në opinionin ndërkombëtar.
Çdo shtrembërim i së vërtetës historike përjetohet si një padrejtësi e madhe; prandaj ai, si autor, nuk mund të fshihet pas termave “interpretim” apo “hulumtim”, sepse me qëllim i ka deformuar faktet. Ai e di mirë se masakrat e luftës nuk janë materiale për eksperimentime të tilla. Prandaj çdo devijim nga e vërteta është fyerje jo vetëm për viktimat, por edhe për shoqërinë tonë në përgjithësi.
Duke analizuar këtë realitet me të cilin po përballet sot Kosova, nuk e pashë të arsyeshme t’i shmangem mendimit të Abraham Lincolnit:
“Kur lapsin e kap injoranti, pushkën krimineli, e pushtetin tradhtari, vendi kthehet në një xhungël ku s’mund të jetojnë njerëzit.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
