Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke dhënë një nga vendimet më të rëndësishme për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës. Të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim. Të tre u shpallën fajtorë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri hero i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën disa zyrtarë të tjerë policorë. Vendimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Ngadhnjim Arrni si kryetar, si dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli. Ky aktgjykim konsiderohet mesazh i qartë se sulmet terroriste ndaj Republikës së Kosovës nuk do të mbesin pa ndëshkim dhe se drejtësia do të veprojë pavarësisht përpjekjeve për destabilizim. Nga 45 të akuzuar në total për rastin “Banjska”, vetëm tre ndodhen në paraburgim, ndërsa 42 të tjerë vazhdojnë të jenë në arrati. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
