Në praktikën e shteteve të vogla, veçanërisht të shtetit tonë krijuar vonë, nuk do duhej të ishte moskokëçarja tagri që i vëhet në qafë fatit të tij, sikur sot po bëjnë të gjithë pozitë e opozitë. Kësaj radhe, kur çoroditja është bërë praktikë opozitare, nuk na mbetet tjetër vetëm se të themi: Gjithçka me të vjetrën!
Në raste të tilla elitat (u thënçin Elita) janë vet çoroditja. Oportunizmi i tyre prej mumjeje e ka heshtë edhe vet të bërit oponencë, atë luftën reale brenda masave ku vija ndarëse merr e jep elektorat me çka i bënë realitet ndryshimet.
Nëse “fryma” është gjendja ku gatuhet ndryshimi dhe shpesh dilet në përfundimin se, peshoren TE NE e ndikon ajo më shumë se sa oferta programore, atëherë të tre aktorët opozitarë: PDK, LDK dhe AAK me vendimet e marrura në ditët e fundit e kanë goditur rëndë si rezultatin e zgjedhjeve të 7 Qershorit poashtu kanë lëkundur besimin qytetar brenda rreshtimit politik të tyre.
PDK refuzoi kthimin e Limajt në Parti. Me këtë refuzoi rritjen e menjëhershme me të paktën 20 000 vota. Lind pyetja: a refuzoi vetëm kaq? Jo. Ajo vetëdijësoi secilin, që gjendja e rëndë e vendit e kishte grishur sado pak të kthehej në shtëpinë e vjetër edhe duke kaluar mbi pakënaqësitë e së djeshmes që e bënë ta linte po atë rreshtim. Vendimarrjen zyrtarisht e kumtoi hiq më pak se sa kryetari (i thënçin) i zgjedhur i saj Bedri Hamza. Paraqitja e tij publike ishte e vobektë, e tejmbushur me tonalitet të mjerë, një pështjellim retorik ku spikati gjuha e trupit të tij që na thoshte në kupë të qiellit: O nuk jam kryetar bre!
Në ‘Hanin’ e këtillë mbetur pa dyer, çelësat e vjedhur myken sirtarëve të apetiteve të atyre që e konservojnë gjendjen për kthimin e vet në skenë. Por, jo aq sa jargët e të tjerëve që presin të vërshojnë moskthimit që i djeg me mbajtjen në heshtje të kësaj pritshmërie.
Për ironi të fatit të dyja këto apetite u sollën në sinkron përtej armiqësisë që i ndan. Dhe, ja, PDK humbi një rast të mirë të kthimit të elektoratit pa të cilin e ka të vështirë të bind elektorat të ri. Bedri Hamza nuk është e as nuk ka staturë lideri. Thellë në veten e tij është i ndërtuar teknokrati për çka është i marrur peng nga profesioni. Këtë duhet ta lexojë PDK-ja! Ndryshe, shkundja vegjetuese rri e pret aty në dyert e fatit.
LDK, të cilës i shkon mirë emri ‘Dhelpra e vjetër’, për herë të parë në gati katër dekadat e egzistencës së saj ka rënë në dëshpërim publik. Ajo ka ditur gjithmonë ta fshehë shtatin e saj nën petkun që ka dashur ta shes veten. Çdo herë e ka bërë këtë për ta blerë kohën e nevojshme të rikthimit. E ka bërë mirë këtë në kohë-kthimin e Rugovës në pasluftë kur fatet i vareshin të ishte a të mos ishte; e ka bërë nëpër pangopjen e shfaqur që me vdekjen e Rugovës; e ka bërë me kuthën rrënuese të Fatmir Sejdiut dhe thyerjen e madhe; e ka bërë me dërgimin në pension të Isa Mustafës prej ku tani po përpiqet ta imponoi grupin mbi partinë.
Nëse shpatullat e munguara të liderit te Bedri Hamza po e bëjnë PDK-në pabesushmëri elektorale, flatrat e rrejshme që po mundohet t’i imponoi për shpatulla pushtetari Abixhiku mbi LDK-në do ta fusin këtë parti në rrugën e reflektimit ku e shpuri Lulzim Basha PDSH-në. Përqafimi grotesk me zonjën Osmani fyen secilin që ka luftuar fort që partia të mbijetojë pas goditjes së madhe me ikjen e saj. 7 Qershori është afër dhe rezultatet do t’i ketë të prekshme.
Ecja e heshtur dhe durimi në Pritë e bëjnë Dhelpërën të ketë sukses në gjahun e saj. Po cili është gjahu i synuar i Abixhikut? Kujt i ka vënë pritën?
Kujtim Shala, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami nga përbërja e sotme e LDK-së janë goja dhe mendja identifikuese në syrin e publikut. Këta nuk janë rendësit e situatave as qëmtuesit e konjukturave, janë thjeshtë artikulimi publik i LDK-së ku me goxha furi po e futë veten edhe e reja Jania Ymeri.
Kjo katërshe duket të jetë në fokus goditjeje kësaj radhe, ani pse piketimet shkojnë më thellë e më gjerë.
Elektorati konservator i LDK-së përkundër tkurrjes së madhe që ka pësuar ia ka dalur që përtej mospranushmërisë për strukturat ta ruaj kohezionin orgtanizativ.
Përqafimi grotesk Abixhiku-Osmani i ngjason bishtit të madh të dhelpërës. Kjo bukuri e rrezikshme, sikur mund të shquhej simbolikë në letërsi, në politikë përkthehet në helmim të brendshëm, nga i cili sikur duket është helmuar e gjithë gjella.
Imponimi Kurtit nga parazgjedhjet me çmimin e koalicionit paszgjedhor, sikur po shpërfaqet nga tandemi Abixhiku – Osmani e bënë skenën tonë politike më konkuruese.
PDK nuk ia ka dalur apo ndoshta as nuk ka dashur ta lexoi këtë lëvizje të LDK-së!
Veprimi tepër i guximshëm i Ramushit me lëvizjet brenda AAK-së është për t’u pa me sy kritik. Për herë të parë Aleanca rrezikon seriozisht pragun elektoral. Elektorati i saj është i lidhur fort me emrin e Ramushit. Ka nga elelktorati që mirëkuptojnë çdo zhvillim. Ata e kanë në qendër besimin Ramush dhe aq u mjafton. Por, ka elektorat që identifikimin me Ramushin e lidhin vetëm me praninë e figurës së tij. Pjesë e elektoratit nga kjo e fundit mund t’i mungojë në kutitë e votimit AAK-së dhe asaj nuk i duhen shumë për të mos e kapur pragun.
Zhvillimet e fundit në të tria partitë opozitare nuk janë gjë tjetër veçse vallëzim i çmendur nëpër kohën e pushtetit.
Kurti dhe Vetëvendosja kanë nevojë për Oponencë derisa vendi ka nevojë për pozitë e opozitë. Tash e sa kohë ne kemi mbetur pa të dyja nën pushtetin ku norma dhe rregulla është bërë përjashtim.
Po, sikur është thënë: më mirë një pushtet sado i keq se një anarki. Pra sikur po dëshmojmë, edhe ne po vallëzojmë nëpër kohën e pushtetit
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
