Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me deputetët e SDA Sanxhak, Ahmedin Shkrijelj dhe Minela Kalender, kanë propozuar një rezolutë në Kuvendin e Serbisë për dënimin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Sipas Kamberit, rezoluta synon ballafaqimin institucional me të kaluarën dhe pranimin e fakteve të konfirmuara nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Në dokument dënohen krimet sistematike, vrasjet, deportimet, spastrimi etnik dhe dhuna e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të regjimit serb të asaj kohe. Rezoluta përmend gjithashtu masakrat në Reçak, Mejë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Suharekë, Izbicë dhe Besian[ë, si dhe ekzistimin e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac dhe Kizhevak. Në këtë nismë kërkohet hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake serbe, vazhdimi i hetimeve për personat e zhdukur dhe garantimi i drejtësisë për familjet e viktimave. Kamberi ka theksuar se pranimi i së vërtetës nuk është dënim për qytetarët e Serbisë, por distancim nga politikat dhe strukturat që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
