Ushtarët amerikanë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje qitjeje në kampin “Bondsteel”

Ushtarët amerikanë në kuadër të misionit të KFOR kanë realizuar një stërvitje të qitjes në poligonin e kampit “Camp Bondsteel”, në funksion të rritjes së gatishmërisë operacionale dhe përgatitjes profesionale të trupave. Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se aktivitete të tilla organizohen rregullisht për të përforcuar bazat e qitjes, aftësinë në përdorimin e armëve dhe gatishmërinë individuale të ushtarëve në terren. Sipas misionit paqeruajtës të NATO-s, trajnimet e vazhdueshme ndihmojnë në ruajtjen e standardeve profesionale dhe efektivitetit operacional, duke siguruar që personeli ushtarak të mbetet i përgatitur për përmbushjen e detyrave të tij në mbështetje të sigurisë në Kosovë. “Përmes aktiviteteve të tilla, personeli ruan një nivel të lartë gatishmërie dhe ndërgjegjësimi për situatën, duke demonstruar angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. KFOR-i vazhdon të zhvillojë aktivitete të rregullta stërvitore në gjithë Kosovën, në kuadër të mandatit të tij për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjitha komunitetet në vend.

Kontrolloni gjithashtu

PDK-ja të shtunën përmbyll fushatën në sheshin ‘Skënderbeu’, Hamza: Ejani të gjithë, bashkë ta ndryshojmë Kosovën

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të shtunën do ta përmbyll fushatën elektorale për zgjedhjet e …