Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar nga Gjilani një nga masat kryesore të programit të tij qeverisës, duke garantuar rritje prej 50 për qind të pagave për të gjithë punonjësit që financohen nga buxheti i shtetit. Në tubimin elektoral, Hamza tha se kjo rritje do të përfshijë mësimdhënësit, personelin shëndetësor, ushtarët, policët, zjarrfikësit, shërbyesit civilë dhe të gjithë të punësuarit e sektorit publik. “Kemi me i rrit pagat 50 për qind për të gjithë; mësues, arsimtarë, profesorë, mjekë, personel shëndetësor, zjarrfikës, ushtarë, shërbyes civilë, të gjithë ata që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës”, deklaroi Hamza para qytetarëve. Ai theksoi se PDK-ja hyn në këto zgjedhje me zotime konkrete dhe të realizueshme, duke shtuar se besueshmëria ndërtohet përmes mbajtjes së premtimeve. “E di që jemi në fushatë zgjedhore, por ne dallojmë prej tjerëve. Kur premtojmë, ne e mbajmë fjalën”, u shpreh Hamza. Sipas tij, rritja e pagave do të jetë një nga prioritetet e para të qeverisë së ardhshme, me synimin për të përmirësuar standardin e jetesës dhe për të vlerësuar kontributin e punonjësve të sektorit publik në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
