Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë nga Specialja lirimin e strategëve të lirisë

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniforma të UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ata kanë theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë. Sipas tyre, shpresa mbetet që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, ka thënë se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocione të kohës së luftës.

“Uniforma jonë, e cila është prezantuar më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës, edhe sot zgjon të njëjtat emocione. Është diçka e shenjtë për ne. Na ka munguar për një kohë rreshtimi, sot e kemi dhe e bëjmë me krenari. Është e vështirë të mbahet uniforma, por krenaria është mbi gjithçka. Amaneti i shokëve është që të shkojmë deri në fund, deri te ushtari i fundit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se veteranët e UÇK-së iu bashkuan marshit në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

“I falënderoj veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që iu bashkuan marshit të sotëm. Kemi bërë një marsh në shenjë përkujtimi të sakrificës së madhe të UÇK-së, dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Lavdi dëshmorëve dhe familjeve të tyre”, ka thënë Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit të GJS ndaj drejtuesve të UÇK

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit te Gjykatës Speciale …