Zvicra pritet të shtojë dhe zgjasë praninë e saj ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Sipas raportimeve, Këshilli Federal zviceran ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor mbetet e ndjeshme, duke kërkuar vazhdimin dhe, në disa skenarë, edhe rritjen e kontingjentit ushtarak zviceran të njohur si Swisscoy. Prania e Zvicrës në Kosovë daton që nga viti 1999, kur trupat e saj u vendosën si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s pas luftës. Aktualisht, ushtarët zviceranë kontribuojnë në misionin e KFOR-it përmes detyrave të monitorimit, ndërlidhjes dhe mbështetjes logjistike në terren. Autoritetet zvicerane theksojnë se angazhimi i tyre synon të mbështesë stabilitetin afatgjatë në Kosovë, duke marrë parasysh edhe zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe rajon. Në ndërkohë, çdo ndryshim i mandatit dhe numrit të trupave pritet të kalojë nëpër procedurat përkatëse parlamentare në Zvicër.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
