Andreas Schieder: Shqipëria ndër kandidatët më të avancuar për BE

Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, eurodeputeti Andreas Schieder vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit. Ai theksoi se Shqipëria tashmë ka “një këmbë në kampin evropian”, duke nënvizuar mbështetjen e gjerë politike dhe publike për integrimin evropian, ku sipas tij mbi 90 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Schieder vlerësoi gjithashtu si realiste perspektivën për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2026. Eurodeputeti vuri në dukje se hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave brenda një periudhe 13-mujore dëshmon angazhim të fortë politik për reforma, ndërsa përparim u shënua edhe në luftën kundër korrupsionit dhe në miratimin e legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve. Duke folur për sfidat e zgjerimit, ai nënvizoi nevojën për reforma afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës dhe drejtësinë sociale. Sipas tij, vizitat e shumta në Shqipëri i kanë krijuar bindjen se ekziston një optimizëm i lartë institucional dhe shoqëror për procesin e integrimit. “Shqipëria dhe qytetarët e saj po ecin së bashku drejt këtyre objektivave. Jam i bindur se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, deklaroi Schieder.

Kontrolloni gjithashtu

SHBA sinjalizon ndryshime në KFOR – NATO paralajmëron rishikim gradual të pranisë në Kosovë

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s …