Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka reaguar ashpër ndaj gjobave të vendosura nga Komisioni i Pavarur i Mediave ndaj disa mediave në Kosovë, duke i cilësuar ato si një formë të drejtpërdrejtë censure ndaj mediave kritike. Presidentja e IFJ-së, Zuliana Lainez, në një mesazh mbështetjeje të publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur solidaritet me gazetarët dhe mediat në vend, duke theksuar se në një demokraci nuk mund të ketë masa ndëshkuese që cenojnë lirinë e shtypit. Sipas saj, çdo formë rregullimi që shkon deri te sanksionimi ekonomik i mediave kritike përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve demokratike dhe lirisë së shprehjes. “Çdo sanksion ekonomik ndaj mediave kritike është formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, është shprehur Lainez. IFJ, që përfaqëson rreth 600 mijë profesionistë të medias nga 187 organizata në mbi 140 vende të botës, ka theksuar se mbështet fuqishëm gazetarët në Kosovë dhe kundërshton çdo veprim që mund të kufizojë pavarësinë e medias./ zeri/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
