Komuna e Ferizajt dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë kanë nënshkruar sot një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim të forcimit të shërbimeve sociale dhe familjare, si dhe avancimit të mirëqenies së fëmijëve, të rinjve dhe familjeve në komunën e Ferizajt.
Marrëveshja u nënshkrua nga nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, i shoqëruar nga drejtoreshA e Qendrës për Punë Sociale, Adelina Braha, si dhe nga përfaqësuesja e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë, Nezahate Ramadani-Salihu.
Përmes kësaj marrëveshjeje parashihet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet dy institucioneve në fusha të ndryshme, përfshirë mbështetjen e shërbimeve sociale dhe familjare, fuqizimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve, ngritjen e kapaciteteve profesionale të akterëve lokalë, si dhe zhvillimin e iniciativave vetëdijësuese dhe avokuese në interes të fëmijëve dhe familjeve.
Një fokus i veçantë i marrëveshjes i kushtohet zhvillimit dhe mbështetjes së shërbimeve të strehimit familjar. Në këtë kuadër, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë do të ofrojnë mbështetje profesionale për fëmijët dhe familjet strehuese përmes vlerësimeve, këshillimit psiko-social, trajnimeve dhe monitorimit të vazhdueshëm të progresit të përfituesve.
Gjatë takimit u theksua se Komuna e Ferizajt, përmes Qendrës për Punë Sociale dhe strukturave të tjera relevante, do të sigurojë koordinimin institucional, përfshirjen e stafit profesional në proceset e strehimit familjar, si dhe mbështetjen e nevojshme për garantimin e interesit më të mirë të fëmijëve.
Palët u zotuan të punojnë së bashku për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërsektorial, përfshirjen sociale të familjeve në nevojë, si dhe zhvillimin e politikave dhe praktikave që kontribuojnë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Komunën e Ferizajt.