Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një moment kyç në historinë e Kosovës dhe në konsolidimin e identitetit kombëtar shqiptar, duke e shndërruar çështjen e Kosovës në një kauzë mbarëkombëtare dhe duke e vendosur, si asnjëherë më parë në historinë e shqiptarëve, në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Andaj, sot jemi në ditën e 27-vjetorit të çlirimit dhe të 36-vjetorit të formimit të njësitit të parë gueril, nën udhëheqjen e Adem Jasharit, me emërtimin “Ushtria e Kosovës” (UK). Çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare, si dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, përbënin objektivat kryesore të këtij formacioni ushtarak. Në këtë kuadër, më 30 dhjetor, forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga helikopterë, sulmuan familjen Jashari, luftime të cilat shënuan edhe kushtrimin e parë të luftës çlirimtare në Kosovë. Në vijim, gjatë viteve 1992-1993, njësitë e grupit gueril çlirimtar ndërmorën një varg aksionesh kundër forcave policore serbe, ndër to aksioni i 30 shtatorit 1992 në Drenas, ai i 19 dhjetorit 1992 në Runik, i 22 majit 1993 në Drenas, etj.
Ndërkohë, në mbledhjen e Kryesisë së LPK-së, të mbajtur në Zvicër më 17 nëntor 1994, u vendos që organizmi ushtarak të quhej “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Përparimi në organizimin e luftës u shoqërua me betejën e parë frontale midis UÇK-së dhe forcave serbe në Klysyrë më 26 nëntor 1997, e cila theu mitin mbi pathyeshmërinë e forcave serbe. Beteja në fjalë dhe dalja publike e UÇK më 28 nentor ishte indikacion i qartë se Drenica ishte udhërrëfyes dhe bastion i organizimit të luftës çlirimtare. Më 22 janar 1998 sulmi ndaj familjes Jashari dhe mbrojtja më sukses për të dytën herë, reflektoi shpresë e besim, si një dëshmi tjetër e madhe se UÇK po bëhej forcë serioze ushtarake në mbrojtje të vendit. Kjo ishte një fitore e madhe, e cila së bashku me betejen e Likoshanit dhe Çirezit bëri që qeveria serbe të kuptonte se UÇK ishte një formacion i organizuar ushtarak. Për të ndërprerë procesin e konsolidimit dhe zgjerimit të saj e për të demonstruar superioritetin mbi të, pushteti serb vendosi qe të ndërmerrte një aksion të përmasave të mëdha me qëllimin final likuidimin e komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit. Më 5 mars filloi operacioni me një arsenal armësh më moderne dhe me përvoj ushtarake nga njësitë speciale të resorit të Sigurimit Shtetëror te Ministrisë së Punëve të Brendshme. Operacioni ishte me i madh sesa ai ushtarak, ishin njësi elite të trajnuara që kishin marrë pjesë në luftrat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Pas një luftë të ashpër, Adem Jashari ra së bashku me 58 anëtarët e tjerë te familjes se ngushtë dhe familjes së gjerë Jashari, duke i dhënë hov të paparë luftës për liri.
Në Drenicë, operacionet e Ushtrisë Çlirimtare u intensifikuan veçanërisht gjatë verës së vitit 1998. Sukseset dhe përparimi i saj në terren e shtynë regjimin e Beogradit të përgatiste operacione ushtarake dhe strategjike të përmasave të gjera. Në korrik, udhëheqja më e lartë politike dhe ushtarake serbe miratoi formimin e Komandës së Përbashkët, duke nisur zbatimin e planit ushtarak “Grom 98”. Gjatë këtij operacioni u shkatërruan dhe u dogjën fshatra të tëra, por nuk u arrit nënshtrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila vuri nën kontroll degëzimet e rrugëve strategjike, krijoi baza të rregullta ushtarake dhe konsolidoi organizimin e saj strukturor, duke ndërtuar një zinxhir të qartë udhëheqës dhe komandues. Miratoi Rregulloret e Përkohshme, mori vendim për formimin e njësive ushtarake deri në nivelin e kompanisë, ndërsa në gusht vendosi kalimin në organizimin në brigada. Më pas, në nëntor, organizimi u ngrit nga niveli i Nënzonave Operative në atë të Zonave Operative.
Forcat serbe ndërmorën operacione ushtarake të shkallës së gjerë në Zonën Operative të Drenicës, ndër të cilat edhe operacionin e 22 shtatorit 1998, i njohur si “Ofensiva e Shtatorit”. Synimi i këtij operacioni ishte largimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga bastioni i saj në rajonin e Drenicës. Sulmi u zhvillua nga disa drejtime: nga Klina, përkatësisht nga jugperëndimi, nga malet e Çiçavicës në lindje, si dhe nga drejtime të tjera. Forcat serbe përbëheshin nga njësi speciale policore antiterroriste, njësi të Ushtrisë Jugosllave (UJ) dhe forca për operacione të veçanta, të pajisura me tanke, artileri të rëndë dhe armë kundërajrore të kalibrave të ndryshëm. Këto forca përgatitën operacione ushtarake të përmasave edhe më të gjera, përfshirë planet “Grom 3” dhe “Grom 4”. Në javën e parë të marsit 1999, Brigada e 37-të e Motorizuar nga Rashka u dislokua në Drenicë, në përputhje me planin ushtarak “Bubullima 98”, ndërsa komanda e saj hartoi operacionin e koduar “Kamenica”. Krahas kësaj, u angazhuan forca dhe armatime shtesë, u mobilizuan forcat rezerviste, u koordinuan njësitë e tjera të sigurisë, u armatos një pjesë e madhe e popullsisë civile serbe dhe u përfshinë në operacione edhe grupe kriminale dhe formacione të armatosura përgjegjëse për akte dhune.
Në Kosovë, forcat serbe të angazhuara në operacionet ushtarake arrinin në afro 200.000 trupa. Vetëm Korpusi i Prishtinës numëronte rreth 75.000–80.000 pjesëtarë, ndërsa rreth 40.000 trupa të tjera vepronin nën mbështetjen e Armatës II. Gjatë luftimeve, mbi 1.000 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe të Ushtrisë Jugosllave (UJ) humbën jetën, ndërsa më shumë se 2.000 të tjerë u plagosën. Në Zonën Operative të Drenicës (ZOD) regjistrohet numri më i madh i të vrarëve dhe të plagosurve nga pala serbe. Po ashtu, kjo zonë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka numrin më të lartë të dëshmorëve, rreth 500, ndërsa numri i të plagosurve kalon 1.000. Në këtë kontekst, forcat serbe, në pamundësi për të thyer UÇK-në si në Drenicë ashtu edhe në tërë Kosovën, ushtruan dhunë të gjerë dhe gjenocid. Gjatë periudhës nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999, vetëm në komunën e Skenderajt u vranë dhe u masakruan 1.080 civilë, ndërsa mbi 893 të tjerë u plagosën. Nga viktimat, 185 ishin fëmijë të moshës 0–18 vjeç, ndërsa deri më sot 128 banorë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Në këtë rrugëtim, shumë dëshmorë, heronj dhe martirë sakrifikuan jetën për çlirimin e vendit. Përkujtimi i tyre ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, pasi ruan kujtesën e luftës çlirimtare dhe forcon identitetin kombëtar.
Të nderuar të pranishëm,
E veçanta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbështetet mbi madhështinë e dëshmorëve, heronjve dhe martirëve, si dhe mbi ish-udhëheqësit që sot po mbahen në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. E drejta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nënkupton edhe mbrojtjen e legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, sakrificën fizike, shpirtërore e morale të shumë të rënëve në Kosovë, si dhe mbrojtjen e legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Nëse përgjegjësia e tyre interpretohet si faj, atëherë e njëjta masë do të duhej të aplikohej edhe ndaj aktorëve ndërkombëtarë që vendosën dhe koordinuan kornizën ligjore për ndërhyrjen ushtarake, pasi ata ishin pjesë e mekanizmave që legjitimuan strategjinë ndihmëse dhe mbrojtëse.
Gjatë vitit 1998 pata rastin të kaloj kufirin së bashku me z. Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimin, duke përjetuar nga afër sfidat dhe sakrificat e asaj periudhe. Po të kishin rënë në atë periudhë, më herët apo më vonë, sot do të nderoheshin si dëshmorë dhe heronj. Ky fakt ngre një pyetje thelbësore: a mund të cenohet në mënyrë të padrejtë kujtimi dhe statusi i dëshmorëve dhe heronjve që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe, në këtë kontekst, a mund të dëmtohet legjitimiteti i shtetit të pavarur të Kosovës? Në këtë kuptim, sot në Hagë nuk po gjykohen thjesht individë, por edhe liria jonë dhe e ardhmja e Kosovës. Nëse udhëheqësit e UÇK-së do të dënoheshin, kjo nuk do të prekte vetëm kujtimin dhe statusin e dëshmorëve dhe heronjve që dhanë jetën për çlirimin e vendit, por edhe themelet e shtetit të pavarur, stabilitetin e tij dhe konsolidimin e demokracisë. Andaj, çdo interpretim i njëanshëm i veprimeve të tyre përbën një kërcënim për lirinë tonë, për kujtesën historike dhe për të gjitha sakrificat që çuan në pavarësinë e Kosovës. UÇK-ja duhet të shihet në dritën e rrethanave historike dhe politike të kohës. Ajo ishte një forcë çlirimtare, e lindur nga nevoja për të mbrojtur të drejtat dhe jetën e një populli të shtypur. Kjo e vërtetë nuk mund të errësohet dhe as të njolloset nga akuza të njëanshme, të motivuara politikisht apo etnikisht, që shtrembërojnë realitetin. Ky kontekst është thelbësor për të kuptuar rolin e saj në luftën për çlirim dhe në krijimin e shtetit të Kosovës.
Fjalë në 27-vjetorin e çlirimit të Skenderajt
Skenderaj, 18. 06. 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
