Screenshot

Osman Osmani: Përtej propagandës: Procesi historik i emancipimit politik të shqiptarëve në ish-RSFJ

Një debat i ditëve të fundit në rrjetet sociale mbi demonstratat e vitit 1981 më shtyu t’i rikthehem edhe një herë një teme që, edhe pas më shumë se katër dekadash, vazhdon të ngjallë interpretime të ndryshme. Kjo nuk është për t’u habitur. Ngjarjet e viteve 1968–1999 nuk përbëjnë episode të izoluara, por pjesë të një procesi të gjatë historik të emancipimit politik të shqiptarëve në ish-RSFJ.
Pikërisht për këtë arsye, historia e kësaj periudhe nuk mund të kuptohet përmes etiketave ideologjike të kohës, as përmes teorive konspirative të mëvonshme. Ajo kërkon lexim kritik, mbështetur në dokumente, dëshmi dhe kontekstin historik.
Për mua, edhe sot mbetet ndër përkufizimet më të sakta ai i Ukshin Hotit:
“Në vitin 1981 u shtrua kërkesa për konstituimin e Kosovës në Republikë. Në prapavijën e kësaj kërkese qëndronte besimi se problemi shqiptar në Jugosllavi esencialisht reduktohej në të drejtën për t’u konstituuar si plotësisht i barabartë me të tjerët, si shtet me të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzonin republikat në bashkësinë jugosllave. Besohej se e drejta e konstituimit të Kosovës në Republikë logjikisht do t’i paraprinte bashkimit të kombit dhe njëherësh do të ishte në funksion të stabilitetit politik të Jugosllavisë dhe Ballkanit në përgjithësi.”
Ky formulim shpjegon më mirë se çdo slogan karakterin politik të kërkesës së shqiptarëve në vitin 1981.
Megjithatë, ky proces nuk filloi në mars të vitit 1981. Ai kishte rrënjë shumë më të hershme: në rezistencën e pasluftës, në organizimet ilegale të viteve pesëdhjetë, gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, në demonstratat e vitit 1968, në veprimtarinë politike të organizuar të shumë grupeve e organizatave shqiptare, në rezistencën paqësore të viteve nëntëdhjetë dhe, në fund, në luftën çlirimtare.
Në këtë proces kanë ekzistuar edhe dallime programore. Për disa organizata, Republika ishte qëllim politik në vetvete; për të tjera ishte një etapë drejt realizimit të së drejtës së vetëvendosjes dhe, eventualisht, bashkimit kombëtar. Këto dallime nuk e zbehin faktin se kërkesa për Republikën ishte kërkesë publike, legjitime dhe demokratike për barazi kushtetuese me gjashtë republikat e tjera të federatës jugosllave.
Pikërisht për këtë arsye nuk pajtohem me përpjekjet për ta interpretuar këtë proces vetëm përmes kategorive “kundërrevolucion”, “separatizëm” apo “irredentizëm”. Këto nuk ishin përkufizime shkencore, por etiketa politike të përdorura nga aparati shtetëror dhe propagandistik serbo-jugosllav për ta kriminalizuar çdo kërkesë për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Po aq problematik është edhe relativizimi i represionit serbo-jugosllav me krahasime me diktaturën komuniste në Shqipëri. Askush nuk mund dhe nuk duhet t’i mohojë krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që ndodhën atje. Por kjo nuk e ndryshon karakterin e represionit të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.
Historia nuk matet me pyetjen se cili regjim ishte “më i keq”. Historia matet me faktet.
Fakt është se mijëra shqiptarë u vranë, u arrestuan, u torturuan, u dënuan me qindra e mijëra vite burg, u përjashtuan nga universitetet dhe vendet e punës, u diskriminuan ekonomikisht e politikisht dhe u përndoqën edhe familjet e tyre. Kjo nuk ishte një seri “tejkalimesh individuale”, por pjesë e një politike sistematike represive dhe kolonialiste ndaj shqiptarëve dhe ndaj kërkesave të tyre politike.
Po ashtu është fakt se në këtë aparat represiv morën pjesë edhe hetues, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë dhe funksionarë shqiptarë. Kjo duhet thënë hapur, pa asnjë hezitim. Por pjesëmarrja e bashkëpunëtorëve vendas nuk e ndryshon karakterin e represionit si politikë shtetërore serbo-jugosllave. Përgjegjësia duhet parë në të gjitha nivelet.
Nga sa kam lexuar dhe dëgjuar ndër vite, edhe vetë Fadil Hoxha, në fund të jetës së tij, kishte reflektuar për një pjesë të vendimeve dhe gabimeve të bëra në rrethana të caktuara historike. Kjo është njerëzore dhe meriton respekt.
Prandaj më duket paradoksale që sot disa e idealizojnë pa asnjë rezervë atë periudhë, duke anashkaluar represionin e ushtruar ndaj mijëra shqiptarëve. Askush nuk mohon kontributin e brezit të Fadil Hoxhës në ndërtimin institucional të Kosovës dhe në avancimin e pozitës së saj deri në një fazë të caktuar historike. Por po aq e vërtetë është se ai brez mban edhe përgjegjësi politike e morale për mënyrën se si u trajtuan demonstratat e vitit 1981 dhe për faktin se aparati politik e shtetëror i Kosovës u vu në funksion të represionit.
Për fat të keq, gjatë këtyre dekadave nuk kanë munguar as teoritë konspirative. Disa kanë pretenduar se demonstratat e vitit 1981 u organizuan nga vetë Serbia apo nga shërbime të ndryshme sekrete. Të tjerë kanë minimizuar ose mohuar rolin e organizatave ilegale shqiptare dhe të mijëra veprimtarëve që u angazhuan e sakrifikuan për lirinë e vendit.
Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte. Përkundrazi, ato largojnë vëmendjen nga përgjegjësitë reale historike dhe relativizojnë sakrificën e mijëra studentëve, punëtorëve, intelektualëve dhe qytetarëve që paguan me burg, tortura, internime, përjashtime nga puna dhe, në shumë raste, edhe me jetën e tyre.
Historia nuk ka nevojë për mite, as për nostalgji. Ajo nuk shkruhet me propagandën e djeshme dhe as me teoritë konspirative të sotme. Ajo shkruhet me dokumente, me dëshmi dhe me guximin për t’i pranuar njëkohësisht meritat dhe gabimet e secilit brez.
Paradoksi i kohës sonë është se sot pothuajse askush nuk flet më për “irredentizëm”. Përkundrazi, shpesh duket sikur partitë shqiptare e kanë më të lehtë të bashkëpunojnë me faktorë politikë të shteteve fqinje sesa të ndërtojnë bashkëpunim strategjik mes tyre në Kosovë, në Shqipëri dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Kjo tregon se sfida jonë nuk është më të mbrojmë të drejtën për liri dhe barazi – ajo është fituar me shumë sakrifica – por të ndërtojmë një kulturë demokratike bashkëpunimi, përgjegjësie dhe vizioni të përbashkët kombëtar.
Vetëm një shoqëri që është në gjendje ta shohë historinë e vet pa propagandë, pa nostalgji dhe pa komplekse mund të ndërtojë një të ardhme më të drejtë. Kjo ua kemi borxh jo vetëm brezave që sakrifikuan për liri, por edhe brezave që do ta trashëgojnë këtë histori pas nesh.
Liria, barazia dhe dinjiteti nuk janë dhuratë e historisë. Ato janë rezultat i angazhimit, sakrificës dhe guximit të brezave që nuk pranuan ta normalizonin padrejtësinë.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: REAGIM I DREJTË I REFIK HASANIT

Kundër fyerjeve dhe nënçmimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga Blerim Isufaj! Shtrohet pyetja: …