Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, e ka cilësuar vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë si një nga shqetësimet kryesore në këtë fazë të procesit gjyqësor. Pas njoftimit se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet më 16 shtator, Qelaj tha se shtyrja e vendimit ka qenë e pritshme, duke pasur parasysh zhvillimin e procesit, por theksoi se arsyetimi i gjykatës dhe vazhdimi i paraburgimit ngrejnë shqetësime serioze. Sipas tij, në këtë fazë nuk ekzistojnë më shumica e arsyeve që justifikonin paraburgimin, pasi dëshmitarët kanë përfunduar dëshmitë e tyre dhe provat tashmë janë administruar nga gjykata. Qelaj shtoi se kohëzgjatja e paraburgimit mbetet një çështje shqetësuese, duke vlerësuar se kjo është një nga sfidat kryesore që ai ndjek në cilësinë e Avokatit të Popullit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
