Sylë Ukshini: Ezio Gavazzeni – Snajperët e fundjavës dhe Carla Del Ponte

Një investigim tronditës mbi gjuetinë e njerëzve gjatë rrethimit të Sarajevës. Libri sjell dëshmi se, sipas autorit, gjatë viteve 1992–1996 disa të huaj të pasur nga vendet perëndimore, përfshirë edhe italianë, paguanin për t’u bashkuar me snajperistët e ushtrisë serbo-boshnjake dhe për të qëlluar mbi civilët e pambrojtur.
Gavazzeni tregon se për herë të parë kishte lexuar për praninë e të huajve në këtë luftë në vitin 1995, në një artikull të gazetës Corriere della Sera, dhe se kjo e shtyu të hulumtonte më tej. Ai shpjegon se shërbimet e inteligjencës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës siguruan informacione për ardhjen e shtetasve italianë pas arrestimit, në vitin 1993, të një vullnetari serb nga Paraqini, në lagjen Hrasno Brdo të Sarajevës.
Sipas autorit, dëshmia më e rëndësishme erdhi nga një ish-marins amerikan, i cili dëshmoi në vitin 2003 para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit. Autori pretendon se kjo çështje nuk mori vëmendjen që meritonte nga prokuroria e drejtuar nga Carla Del Ponte.
Deri më sot, asnjë snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska nuk është ndjekur penalisht për fushatën e snajperëve në Sarajevë, megjithëse gjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë kanë konstatuar se ajo ishte pjesë e një fushate terrorizimi ndaj popullsisë civile, gjatë së cilës u vranë mbi 11.000 njerëz.
Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, mediat në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe më gjerë, po rikthejnë në vëmendje vrasjet e qytetarëve të Sarajevës nga snajperët dhe pretendimet për përfshirjen e shtetasve të huaj.
Leximi i këtij libri ngre pyetje edhe për mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar ka trajtuar raste të ndryshme në Ballkan. Ndërsa pretendimet për trafikim organesh në Kosovë, të ngritura fillimisht nga Carla Del Ponte dhe më pas të zhvilluara në raportin e Dick Marty-t, çuan në procedura në Këshillin e Evropës dhe në krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, pretendimet e ngritura në këtë libër për ngjarjet në Sarajevë nuk kanë marrë një trajtim të krahasueshëm. Kjo ka nxitur debate mbi nëse standardet e zbatimit të drejtësisë ndërkombëtare janë zbatuar në mënyrë të barabartë në të gjitha rastet.

Kontrolloni gjithashtu

Promovohet në Zürich libri “Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025”

Promovohet në Zürich libri “Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025”

Dje, në ambientet e Pestalozzi Bibliothek në Zürich, u promovua libri “Arti Konceptual në Kosovë …